Bashkia Shijak kërkon donatorë për hartimin e projekteve në infrastrukturën publike

Në kuadër të hartimit të projekt-buxhetit për vitin 2027, Bashkia Shijak fton donatorë, organizata ndërkombëtare, agjenci zhvillimi, fonde bashkëpunimi dhe partnerë të interesuar të mbështesin financimin e hartimit të projekteve teknike për investimet prioritare në territorin e saj, në fushat e mëposhtme:

  • Shkollat: rikonstruksioni, rehabilitimi dhe përmirësimi i ambienteve shkollore dhe të infrastrukturës përreth tyre;
  • Rrugët: rikonstruksioni dhe asfaltimi i rrugëve ndërlidhëse dhe urbane, trotuaret dhe ndriçimi publik;
  • Kanalet vaditëse dhe ujitëse: rehabilitimi dhe ndërtimi i kanaleve për mbështetjen e bujqësisë;
  • Kullimi i ujërave: sistemet e kullimit të ujërave të bardha dhe atyre të sipërfaqes, si dhe masat kundër përmbytjeve;
  • Infrastruktura të tjera publike me ndikim në jetën e përditshme të banorëve.

Mungesa e projekteve teknike të plota është një nga pengesat kryesore për aksesimin e fondeve të investimeve. Mbështetja në fazën e hartimit të projekteve ka ndikim të drejtpërdrejtë në realizimin e punimeve në vitet në vijim dhe në përmirësimin e kushteve të jetesës për komunitetin tonë.

Bashkia Shijak është e hapur për bashkëpunim dhe do të ofrojë informacionin, të dhënat teknike dhe mbështetjen e nevojshme për çdo partner të interesuar.

Bashkia Shijak do të zhvillojë dëgjesën publike për Programin Buxhetor Afatmesëm 2027–2029

Bashkia Shijak do të zhvillojë dëgjesën publike për prioritetet e Programit Buxhetor Afatmesëm 2027–2029. Banorëve të Shijakut dhe të njësive administrative Xhafzotaj, Maminas e Gjepalaj do t’u paraqiten burimet financiare, shpenzimet dhe investimet e planifikuara për tre vitet në vijim.

Prioritet i programit mbetet infrastruktura rrugore, me investime në të gjitha njësitë administrative. Programi përfshin gjithashtu përmirësimin e shërbimeve publike, rehabilitimin e hapësirave të gjelbra dhe strehimin social. Do të vazhdojnë edhe politikat lehtësuese për familjet në nevojë dhe për personat me aftësi të kufizuara.

Qytetarët ftohen të marrin pjesë dhe të shprehin mendimet dhe sugjerimet e tyre për nevojat më urgjente të lagjeve dhe fshatrave. Kontributi i tyre do të merret parasysh gjatë finalizimit të programit buxhetor.

Pjesëmarrja juaj ka rëndësi. Bashkë për një Shijak me shërbime më të mira dhe zhvillim të qëndrueshëm.

Prezantim_Degjesa_Publike_PBA_Shijak_2027-2029